Nga Dr.Sc. Dashnim HEBIBI
Dua t’i them disa fjalë publike miqve të vërtetë të mi: Nuk do të buzëqesh pa arsye, as nuk do të jap dorën pa merita askujt. Kohën dhe energjinë time do t’i kushtoj vetëm atyre që e meritojnë dhe që veprojnë me nder. Vendosmëria, integriteti, mirënjohja, besimi, morali dhe besa janë udhërrëfyesit e mi, dhe ata që nuk i respektojnë, nuk mund të jenë pjesë e rrugës sime. Kam vendos!
Pas 25 vitesh në mërgim, kam parë gjithçka: kam punuar dhe kam dhënë për kombin tim, duke u bazuar tek fakte dhe vepra, dhe kam përjetuar gjithçka. Por ka ardhur koha të distancohesh nga ata që mbajnë krekosjen, arrogancën dhe të paftyrën në zemër; ata që vjedhin meritat e të tjerëve, që blejnë poste dhe fshihen si struca e që i kuptuam.
Mos mendoni se jam lodhur — aspak. Ne asnjëherë nuk ndalojmë, sepse maratonistë jemi. Por ka shumë që duan të thonë këto fjalë dhe nuk i thonë. Nuk shkoj aty ku nuk ka kredo, nuk shkoj aty ku nuk ka vlera. Kam dhënë gjithçka, por kupa është mbushur. Tani secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta, aty ku është profesionist.
Unë i kushtoj kohën dhe energjinë tek të merituarit, sepse mërgata shqiptare ka shumë bujarë dhe atdhetarë me vepra, por modestia e tyre shpesh interpretohet si dobësi. Jo, modestia është e madhe; është e mbushur me dije, energji dhe nder. Sinqeriteti nuk mund të shkilet nga askush. Nuk ka hapësirë për ata që shiten si të ditur, por janë anonimë pa adresë, për ata që luajnë lojërat e vogla dhe përpiqen të pengojnë të tjerët.
Mërgata shqiptare ka kontribuar dhe do të vazhdojë të kontribuojë për çështjen kombëtare. Jemi vonë, por nuk do të pranojmë asgjë nga kushdo që nuk është në të mirë të gjeneratave të reja. Kush mendon se mund të manipulojë, vjedhë ose të luajë lojë me meritat e të tjerëve, le të dijë: se është duke gabuar. Nuk do të ketë falje, nuk do të ketë kompromis. Rruga jonë është për ata që kanë integritet dhe vizion, jo për llumin dhe hipokrizinë. Bëhem çdo ditë më i fortë. Nuk debatoj më, sidomos jo me ata që fshehin fytyrën pas maskave. Distanca ime i takon toksikëve, atyre që nuk qëndrojnë dot drejt. Nuk i gjykoj — por as nuk i afroj më. Unë zgjedh qetësinë time.
Në këtë maratonë që quhet jetë, secili vrapon në pistën e vet. Ne maratonistët nuk ndalemi: lodhemi, rrëzohemi, por ngrihemi dhe vazhdojmë përpara pa kthyer kokën mbrapa. Disa merren me llogari, fitime e plane… por pak kush e pranon të vërtetën e thjeshtë: askush s’e di ku do të jetë pas një ore. Marr frymë — dhe askush s’më garanton se do ta marr frymën tjetër. Jeta është e brishtë. Prandaj jam mirënjohës Zotit për çdo ditë që më jep.
Angazhimi pa interes material është për atdhetarët e vërtetë. Ata që kanë përfitimin në gjak, le të përfitojnë nga vetja — jo nga kurrizi i popullit. Sepse karakteri shfaqet me vepra, jo me fjalë.
Projekti i nisur me Prof. Dr. Llukman Halilin, tashmë të ndjerin, do të përfundohet. Nuk dorëzohem. Po, ka shumë veprimtarë të ndershëm në mërgatë, por shpesh rrugët na i mbyll llumi — derisa të vijë momenti i ujit të kulluar. Dhe ai moment po afrohet. Është koha të mendojmë për gjeneratën e re të diasporës.

Pse të mos kemi Universitet Shqiptar në Zvicër?
Pse të mos kemi Bibliotekë Shqiptare në Zvicër?
Pse të mos kemi Muzeun e Diasporës në Prishtinë e Tiranë?
Pse të mos kemi Bankë Shqiptare në Zvicër?
Pse të mos kemi Kinemanë Shqiptare në Zvicër?
Pse të mos kemi një LAPSH “Naim Frashëri” edhe më të fortë, më të bashkuar, më efikas?
Pse të mos rikthejmë një Radio-Televizion të Diasporës — këtë herë më të fortë, të qëndrueshëm? Vidhe idenë Ti që e ke zeje! Merre po munde! Merre e kënaqu!
Zvicra s’na ka penguar kurrë. Përkundrazi, na ka hapur dyert.
Po Faleminderit, Zvicër! Projekti po vjen brenda vitit 2026 me një libër që përmbledh personalitete të shquara, për të cilin i jemi mirënjohës Zvicrës.”
Tani është radha jonë të ecim përpara, sepse po rritet gjenerata e katërt e mërgatës. A do ta ruajmë gjuhën? Traditat? A do të marrim përgjegjësi për sukseset e dështimet tona? Koha ka ardhur. Madje jemi me vonesë.
Për këtë arsye unë vazhdoj rrugën time. Dhjetori vjen me dy libra të rinj, janari me një promovim si kurrë më parë — falë miqve të vërtetë, atyre që ecin pranë meje dhe nuk ndalemi. Ne ecim lart, jo në baltë.
I përshëndes me shpirt ata që e dinë se jam me ta, edhe kur hesht. Ata që më shohin të lodhur e gabojnë — më mirë të ndalen vetë, sepse edhe dorëzimi është njerëzor. Ka nga ata që janë dorëzuar prej kohësh, por mendojnë se nuk kuptohet. Kuptohet gjithçka — thjesht nuk thuhet.
Dhe duhet thënë një e vërtetë:
Dielli ndriçon edhe mbi jashtëqitje, por nuk ndytet.
Ashtu edhe e vërteta — nuk njolloset nga zhurmaxhinjtë. Zhurmë ka shumë, shpifje ka shumë, por e vërteta del prapë në dritë.
Me miq besnikë jemi në lartësi — si shqiponja, që fluturon lart, me sy të pastër e zemër të drejtë.
Për 25 vite nuk jam ndalur duke punuar për mërgatën — dhe nuk do të ndalem. Mërgata e meriton. Jo ata që lehin. Jo ata që nxisin të tjerët të lehin. I njoh mirë kush janë, por nuk u hap derën.
Mërgata është forcë. Është zemër. Është sakrificë.
Meritokracia nuk vlerësohet sepse ka pak nga ata që e përballojnë. I dobëti flet nga prapa sepse ka frikë të dalë para syve. Dikush fsheh dorën, hedh gurin. Dikush fshihet pas të merituarit pastaj leh, sepse lehja është mënyra e vetme që njeh. Mjaft me anonimë që s’kanë rrënjë e shiten si të ditur. Unë me ta nuk udhëtoj. Uroj një javë të mbarë për secilin prej jush dhe një muaj dhjetor që të shkojë sa më mirë — i mbushur me energji, veprime dhe rezultate.

Jeta është për të guximshmit dhe për ata që veprojnë me integritet dhe përkushtim. Ata që pengojnë ose shpifin nuk mund të ndalojnë rrugën e përparimit. Ne ecim lart, me vendosmëri dhe vizion, sepse e vërteta dhe puna e palodhur gjithmonë gjejnë rrugën e tyre. Forca jonë qëndron te besnikëria, bashkëpunimi dhe sakrifica për të mirën e përbashkët.
“Të dashur miq, kudo që jeni, mos u mërzitni nga ato që kam shkruar. Fjalët e mia janë të mbështetura nga një elitë miqsh akademikë dhe atdhetarë të dëshmuar. Nuk do t’i japim rëndësi atij që mundohet të shesë mjegull. Janë fjalë që buruan nga dija, përvoja e gjatë dhe pastërtia shpirtërore.
Sot kemi hyrë në muajin Dhjetor, muajin e fundit për vitin 2025. Viti 2026 duhet të na gjejë më të mirë, me ndryshime dhe përmirësime, dhe për këtë arsye zgjodha 1 Dhjetorin për t’i çuar në letër fjalët e zemrës. Çdo kush bën llogaritë e veta në fund të vitit, mundohet të ndryshojë, të realizojë projekte apo të përmirësohet — dhe kjo është rruga drejt së mirës.

Falënderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur gjatë vitit 2025, por edhe ata që më kanë penguar — i kam parë të gjithë dhe besoj se e kanë kuptuar: deti nuk matet me shkop, nuk ndotet me një kove uji të pistë dhe as nuk mbushet me një shi të vetëm. Nëse kam gabuar diku pa dashje, kërkoj falje, jemi njerëz. Ata që përpiqen të vjedhin meritat e të tjerëve, që luajnë lojërat e vogla dhe të mëdha, që shesin mjegull dhe fshihen si struca — nuk kanë asnjë mundësi të ndikojnë tek rruga jonë. Rruga jonë është për të merituarit, për të sinqerët dhe të ndershmit. Kush nuk ka integritet, do të mbetet pas, në llum dhe harresë.
Ti, mike e miku im, që po e kupton fjalëkalimin e shpirtit tim dhe atë që dua të them, mirëpres të shkruash dhe të kontribuosh. Ti që ke smirë, vazhdo dhe gjej ilaçin e shërimit e nëse të duhet ndihma, aty do të jemi me miq. Dielli nuk ka dobi pa tokën dhe qiellin, prandaj le të jemi bashkë, sepse së bashku mundemi.
Na qoftë një muaj i mbushur me sukses, shëndet të mirë dhe mundësi për të zgjeruar kalatë tona me miq të tjerë – elitarë akademikë dhe veprimtarë. Zoti i bekoftë familjet tona, miqtë tanë, kombin tonë. Na udhëzo të bëjmë vetëm vepra të mira dhe të mos mashtrohemi kur kemi poste apo pasuri të madhe ekonomike. Mirupafshim!




